Italiani i prangosur në kryeqytet për pastrim parash në vlerën e 1.5 milionë eurove Stefano Lorenzi akuzohet edhe në Itali për të njëjtën akuzë. Prokuroria e Bergamos ka kërkuar sekuestrimin e 8 milionë eurove, të cilat dyshohen se kanë ardhur nga aktivitet kriminal.
Zbardhen detaje të reja nga Prokuroria e Tiranës lidhur me skemën e pastrimit të parave te zbuluar disa ditë më parë pas sekuestrimit të 1.5 milionë eurove të shtetasit italian, Stefano Lorenzi. 41-vjeçari kishte regjistruar më 7 Prill të 2017 një kompani fiktive në kryeqytet me emrin “Sunflower Company”, me adresë në rrugën “Kajo Karafili”.
Më pas nisi skema e pastrimit të parave, nga e cila përfitoi 2.8 milionë euro, pas disa transfertave në dy muaj nga kompania “Volg Partners Bau”, me qendër në Pragë të Çekisë. Kjo e fundit administrohej nga Stefano Lorenzi, i cili tashmë është në hetim nga drejtësia italiane për mashtrim me taksat në Bergamo në shumën e 8 milionë eurove.
Këtë fakt e pohon edhe Policia e Shtetit në njoftimin e saj për mediat, ku shprehet se 41-vjeçari akuzohet edhe në shtetin fqinj për “deklarata mashtruese” dhe “krime në fushën e tatimeve”.
Nga hetimet e prokurorisë u provua se fillimisht 1.5 milionë euro ishin transferuar nga Hong Kongu drejt Italisë. Kurse në vendin tonë kishin mbërritur nëpërmjet një banke malteze. Sipas organit të akuzës vlerat monetare argumentoheshin si një pagesë borxhi nga Lorenci, ndaj kompanisë “Sunflower”.
Ndërkaq Prokuroria e Bergamos ka marrë një masë parandaluese për sekuestrimin e pasurive të italianit në 15 llogari bankare. I njëjti veprim është kryer edhe nga prokuroria shqiptare, duke kërkuar sekuestrimin e pasurisë së Stefano Lorenzit në vlerën e 1.5 milionë eurove, kërkesë e cila u pranua nga gjykata deri në përfundim të hetimeve./abcnews.al