“Duhet të futet në betejë i gjithë korpusi mjekësor i Shqipërisë duke nisur nga mjekët e familjes dhe spitalet rajonale.
Mjeku i familjes ka një detyrë shumë të rëndësishme, aty përplaset për herë të parë ai që ka temperaturë dhe kollë.
Hapja e spitaleve rajonale për të pritur pacientë COVID me simptoma më të lehta, lehtëson ngarkesën në spitalet COVID për rastet e rënda”.
Këtë i kërkoi mbrëmjen e sotme Lulzim Basha qeverisë përmes emisionit “Log” në “ABC” ku ishte i ftuar.
Theksin, lideri demokrat e vendosi edhe njëherë te shtimi i testimeve. “Problemi kryesor është numri i testimeve, nëse mbahen të ulëta, ti nuk arrin të njohësh përmasat e infeksionit, as ti gjurmosh dhe parandalosh.
Di sa të infektuar do të shkojnë në spital, sa mjekë do të duhen, sa pajisje oksigjenimi, sa ambulanca, e gjitha është lënë jashtë kontrollit, procesi fillon me testimet nuk mbaron me testimet.
Nëse masat që kemi sugjeruar do të ishin ndërmarrë nuk do të ishim në këtë situatë. Ekspertët pranë PD-së i qëndrojnë planit. Sot duhet të lerë cdo gjë tjetër kryeministri, cdo aktivitet.
Le të bëjë politikë sa të dojë Edi Rama, por jo në kurriz të shqiptarëve, ka kohë për zgjedhjet, në 25 prill janë zgjedhjet” tha ai./ db/Abcnews.al



