Erdogan prezanton kabinetin qeveritar, emëron dhëndrin e tij ministër

schedule14:48 - 10 Korrik, 2018

schedule 14:48 - 10 Korrik, 2018

Erdogan ka prezantuar kabinetin e tij qeverisë, në të cilin bën pjesë edhe dhëndri i tij. Ky i fundit po shikohet si një figurë politike që po projektohet për të zëvendësuar presidentin turk. Për ndërrimin e sistemit qeverisës në Turqi, analistët shprehen me ironi se filloi epoka e sulltanit.

Pa humbur kohë, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka prezantuar kabinetin e tij qeveritar, me të cilët do të udhëheqë vendin për 5 vitet e ardhshme. Ajo që bie në sy është posti që ka rezervuar për dhëndrin e tij, që cilësohet si një figurë gjithnjë e në rritje në politikën turke. Berat Albayrak, bashkëshort i Esra Erdogan, ka marrë një rol tepër të rëndësishëm në qeverinë presidenciale. Ai është emëruar në drejtim të Ministrisë së Financave, ndërsa më përpara udhëhoqi Ministrinë e Energjisë.

Në kabinetin e tij, Erdogan ka rezervuar vetëm dy poste për gratë. Ministre e Punës, Shërbimeve Sociale dhe Familjes është emëruar Zehra Zümrüt Selçuk. Kurse në drejtim të Ministrisë së Tregtisë është vendosur Ruhsar Pekcan. Zëvendëspresident është caktuar akademiku Fuat Oktay.

Për drejtimin e dy ministrive kyçe, atë të Drejtësisë dhe të Jashtme, Erdogan i ka besuar ish-kryeministrit Mevlüt Çavuşoğlu që do të merret me marrëdhëniet me jashtë dhe Abdulhamit Gül, i cili do të prezantojë reformat e tij në sistemin e gjyqësorit. Presidenti turk filloi mandatin e tij të hënën me një ceremoni betimi, ku morën pjesë rreth 10 mijë të ftuar. Aty Erdogan tregoi edhe njëherë planet e tij për të ardhmen e vendit.

Megjithatë, analistët ndërkombëtar shprehen shumë skeptikë lidhur me programin e kreut të shtetit, i cili është në gjendje të aprovojë çdo lloj dekreti pa miratimin e parlamentit, pasi kjo lejohet në bazë të ndryshimeve kushtetuese për sistemin e ri qeverisës. Për këtë analistët e krahasojnë qeverisjen e Erdogan me atë të sulltanëve dhe shkruajnë se ai do të vijojë me përndjekjen e kundërshtarëve të tij politikë, duke nisur nga ndjekësit e imamit Fetullah Gylen e deri tek kurdët./abcnews.al