Këto janë pamjet nga pallati 5-katësh i rrënuar në Elbasan pas shpërthimit të bombulës së gazit në një prej apartamenteve.
Pasditen e sotme, një shpërthim i fortë shkaktoi një viktimë dhe tetë të plagosur në lagjen “Çlirimi”. Një 83-vjeçare humbi jetën, ndërkohë që numri i viktimave mund të shkojë në dy, pasi ekipet e kërkim-shpëtimit në terren dyshojnë për një 69-vjeçar të mbetur nën rrënoja. 10 persona u asfiksuan nga tymi, ndërkohë që tetë prej tyre u trajtuan në Spitalin Rajonal të qytetit dhe u larguan.
Ndonëse fillimisht u dyshua për shpërthimin e një bombule gazi, policia thotë se, për shkak të forcës së shpërthimit, nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë lënde tjetër eksplozive.


