Kukësi siguroi fitoren e dytë në kampionat. Pas suksesit ndaj Laçit, verilindorët ia dolën edhe në “Loro Boriçi” kundër Vllaznisë, sfidë që e fituan 2-4. Agim Ibraimi realizoi dy gola dhe në deklaratën për Supersport shfaqet me këmbë në tokë dhe plot besim për shokët e skuadrës.
“Sezoni është i gjatë. Me këmbë në tokë do i arrijmë synimet e klubit. Dua të përgëzoj të gjithë klubet me të cilët kemi luajtur deri tani: Laçin, Teutën, Vllazninë, kanë ekipe shumë të mira. Shpresoj të vazhdojmë me rezultate pozitive.
Mendoj se të gjithë treguam karakter dhe fuqi. Ka harmoni, kjo na nxori nga situata dhe arritëm të reagonim pas golit që pësuam. Kam ndjerë lëndim dy ditë përpara ndeshjes. U shtrëngova, por të shohim nesër se çfarë është. Nuk e besoj se është diçka shumë e rëndë.
Çfarë mund të përmirësojmë? Duhet të jemi pak më të kujdesshëm dhe t’i zbatojmë rregullat e trajnerit. Të mos jemi shumë të lehtë në dyluftime dhe në topin e dytë që kap sulmuesi kundërshtari. Ia arrijmë qëllimit nëse zbatojmë rregullat e profesorit.
Me keqardhje e them, shpresoj të rregullohet sa më shpejt stadiumi në Kukës. E dimë çfarë tifozësh kemi, shpresoj të rikthehen sa më shpejt ata, por edhe tifozët e tjerë. Shpresoj ta kalojmë këtë periudhë të rëndë.
Presidenti? Ai na ka përgëzuar edhe kur kemi humbur. E dinte se ekipi është i mirë, por na duhet kohë për t’u përshtatur. Presidenti na ka mbështetur gjithmonë, shpresoj t’ia kthejmë me rezultate të mira“, thekson goleadori nga Tetova. /abcnews.al