Kërcënime, ndjesë dhe video false: Ç’ndodh me ata që bënë “selfie” me Maradonën

schedule19:36 - 27 Nëntor, 2020

schedule 19:36 - 27 Nëntor, 2020

Diego Maradona humbi jetën ditën e mërkurë dhe vdekja e tij shkaktoi dhimbje të madhe, sidomos në Argjentinë dhe Napoli, aty ku është idhull dhe krenari e përjetshme. Turma të mëdha njerëzisht në rrugë për të nderuar “Zotin” e futbollit, teksa ditën e djeshme u regjistrua një fenomen i çuditshëm, që shkaktoi polemika dhe zemërim të madh.

Punonjës të agjencisë funerale që organizoi varrimin e “El Diez”, përfituan të bënin një foto me trupin e vdekur të 60-vjeçarit. Një person i quajtur Diego Molina dhe dy të tjerë, baba dhe bir, Claudio dhe Ismael Fernandez, guxuan të hapin arkivolin dhe të bënin foto me Maradonën. “Një provë tjetër që e keqja dhe budallallëku njerëzor nuk ka kufij.

Shpresoj të mos mbeten pa u ndëshkuar. Edhe këta dy tipat kanë bërë të njëjtin gjest. Dalin në foto me një person të vdekur dhe buzëqeshin me gishtin e ngritur lart. Nuk arrij dot ta besoj“, shkroi gazetari Marco Luna. Në media të ndryshme qarkulloi një video e një personi të rrahur keq, që pretendohej se ishte Diego Molina. Një alarm fals dhe një video e rremë, teksa si Molina, i cili ka marrë kërcënime të shumta për gjestin e kryer, dhe dy personat e tjerë, janë pushuar nga puna për veprimin e kryer.

Jo vetëm kaq. Molina ishte pjesë e klubit Argentinos Juniors, me këta të fundit që e kanë pezulluar nga detyra që mbante. Ndërkohë, Claudio Fernandez ka kryer falje për veprimin që kreu bashkë me djalin e tij 18-vjeçar. “I kërkoj falje të gjithëve. Unë kam punuar me babanë e Diegos dhe kunatin e tij, kam qenë një person i afërt me Diegon kur ishte gjallë.

Nuk ka qenë kurrë qëllimi im të tregoj mungesë respekti ndaj tij. Ai ka qenë gjithmonë idhulli im dhe do vazhdojë të jetë. E di që shumë njerëz janë ofenduar nga veprimi ynë, e di që i kemi mërzitur, por dua t’u kërkoj falje me gjithë zemër të gjithëve“, deklaroi Fernandez për një radio argjentinase. /abcnews.al