Sulejman Starova, trajneri i mirënjohur kryeqytetas, pjesë e panelit të emisionit “Pressing” në ABC, mbrëmjen e djeshme analizoi edhe situatën e Tiranës. Ai është i mendimit se bardheblutë janë larg asaj skuadrës së vjetshme që u shpall kampione e Shqipërisë.
“Situata te Tirana është kështu: Që në letër nuk janë ekipi i vjetshëm. Nuk kanë bërë afrime kushedi, iku Ngoo. Ishin skuadra kampionë, kishin para më shumë se të tjerët për të bërë merkato. Kanë qenë edhe të pafat me dëmtimet. Tirana shfaq probleme në çdo repart”, tha fillimisht Starova.
Ai dhe të ftuarit patën mundësinë të dëgjonin edhe deklaratën e trajnerit Nevil Dede pas ndeshjes dhe diskutimi vijoi në studio. Starova shtoi: “Nevili tha që kishim raste. Me vendin e fundit fitorja është detyrim, e jo më rastet. Vaj medet pastaj.
Nevili duhet të kënaqet që nuk hyri gol ai rast në fund. Ilaçi është fitorja që rikthen qetësinë. E kam thënë se Tirana është bërë njëlloj si ekipet e tjera, e ndoshta është bërë edhe më e dobët. Largimi i Dokës? Toshevksi për mua është ulje pjace. Një skuadër që del kampion…
E thashë që ka probleme në të gjitha repartet. Shikohen defekte edhe në mbrojtje. Kë prisni që të rikthehet në mbrojtje? (Gazetari Eno Skarço: Pritet të luajë Najdvoksi pasi të rikuperohet Çelhaka). Unë personalisht e kam kritikuar merkaton. Ata që u larguan kishin më vlerë se ata që erdhën. U eliminuam nga kupa, zëvendësuan trajnerin, dëmtimet gjithashtu, të gjitha ndikojnë”, përfundoi Starova. /abcnews.al