Në Kryekuqin e puseve, aty ku mbi 20 vjet nuk ka ujë të pijshëm

schedule16:18 - 7 Korrik, 2018

schedule 16:18 - 7 Korrik, 2018

Fshati Kryekuq në Divjakë është ndoshta i vetmi në Shqipëri ku për çdo shtëpi ka një pus. Dhe uji i tij nuk është thjesht për nevoja dytësore, por përdoret për t’u pirë. Në këtë fshat ka mbi 20 vjet që në çezma nuk shkon ujë i pijshëm.

Mjeshtra të nxjerrjes së ujit i gjen në Kryekuq të Divjakës. Në çdo shtëpi ka një pus. Jo nga dëshira, por sepse vuajnë nga thatësira.

“Këtu kam 25 vjet që kam ardhur, unë s’kam parë asnjë muaj ujë”.

Gratë mbajnë peshën më të madhe. Përveç punëve të tjera kanë për detyrë të sigurojnë ujin.

“Ne kemi shpuar pus vetë në shtëpi”.

Ka mbi 20 vjet që këta njerëz përballen me krizën. As komuna më herët dhe as bashkia sot nuk kanë investuar për të shtrirë linjën e ujësjellësit.

“300 familje, të 300 familjet janë me puse”. 

Çezmat publike kanë mbetur si relike të vjetra nëpër rrugët e Kryekuqit. Disa vjet më parë nisi një investim për ndërtimin e ujësellësit, por që asnjëherë nuk u përfundua.

“Kanë ardhur do bëhen investime, hidheshin lekët se kush i merrte nuk i dinte”. 

Ky fshat i paguan faturat e uji. Por minimalisht një familje paguan mbi dy milionë lekë të vjetra për një pus 80 metër të thellë.

“Dy milionë ka vajtur pusi”.

Kryekuqi ka rreth 300 shtëpi. Për herë të fundit, ata patën ujë të pijshëm përpara viteve ‘90./abcnews.al