Nëse çdo gjë do të shkojë si duhet dhe 12 adoleshentët tajlandezë e trajneri i tyre do të shpëtohen këto ditë, atëherë FIFA i ka ftuar zyrtarisht në finalen e Botërorit Rusi 2018 që do të luhet në 15 Korrik në stadiumin Luzhniki në Moskë.
Federata botërore e futbollit, i ka dërguar një letër Federatës së Futbollit të Tajlandës në të cilën shpreh “keqardhje të thellë dhe mbështetje” për familjet e futbollistëve të rinj dhe trajnerit të tyre, të cilët janë bllokuar në veri të vendit. Lajmi është konfirmuar nga agjencia e lajmeve Anadolu.
Letra që mban firmën e Gianni Infantinos, thotë se FIFA dëshiron të ftojë fëmijët dhe trajnerin e tyre në finalen e Botërorit në Rusi, nëse shpëtohen deri në atë ditë.
Më tej, shtohet se ardhja e fëmijëve dhe trajnerit në finale “padyshim do të jetë një moment fantastik i bashkimit dhe festimit”.
Fëmijët, të cilët u bllokuan në shpellën e përmbytur nga 23 Qershori, kanë kërkuar nga pjesëtarët e ekipit të shpëtimit, të cilët kujdesen për ta që t’i informojnë për zhvillimet në Botëror. Finalja e Botërorit do të luhet më 15 Korrik në stadiumin “Luzhniki” të Moskës./abcnews.al