Mësimi online shkakton pakënaqësi tek studentet, më të penalizuarit ata të mjekësisë

schedule16:37 - 24 Nëntor, 2020

schedule 16:37 - 24 Nëntor, 2020

Maksi Rama

Në oborret e universiteteve bie në sy mungesa e studentëve, pasi shumica janë kthyer në shtëpitë e tyre për të zhvilluar mësim online. Për Adelinën dhe Marselin, studentë të Fakultetit të Drejtësisë vijimi i mësimit online i pengon ata të thellojnë dijet.

Japin dy arsye: problemet me sistemin online dhe oraret e papërshtatshme.

“Ka shumë pedagogë që i ndryshojnë oraret ose i vendosin në një orar, përveç atij që është në pjesën e përcaktuar dhe në këtë mënyrë, studentëve kjo i pengon edhe  të zhvillojnë një praktikë, një punë…”

Procesi mësimor online është edhe më e vështirë për studentët e Mjekësisë. Atyre u duhet të kryejnë praktika nëpër pavijone.

“Për ne, sidomos ata të viteve klinike, është pothuajse e pamundur për ta zhvilluar mësimin online, pasi është e lidhur drejtpërdrejt me praktikat. Ne çdo ditë, supozohet të bëjmë tre orë praktikë, nëpër spitale e pavijonë të ndryshme,” thotë Elioti, student në Universitetin e Mjekësisë.

Mësimi online u shton kostot. U duhet të paguajnë më shumë për internetin apo të blejnë pajisjet e nevojshme elektronike.

“Leksionet që zhvillohen në Google Meet, kapaciteti maksimal aty është për 100 persona, pjesa tjetër mbetet jashtë. Nuk arrijnë ta ndjekin leksionin për arsye teknike.”

Të hënën komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi që të shtyje nisjen e procesit mësimor në auditore në një afat të pacaktuar. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!