Borussia Dortmund fitoi 2-5 të shtunën në fushën e Hertha Berlin, ndeshje ku shkëlqeu Erling Haaland me një “poker” golash (brenda 32 minutave). 20-vjeçari norvegjez vazhdon të “terrorizojë” mbrojtjet kundërshtare dhe është ngjitur në shifrën e 10 golave në Bundesligë këtë sezon.
Sulmuesi ka zbuluar edhe një prapaskenë interesante në lidhje me trajnerin Lucien Favre. Zvicerani kujtonte se goleadori i tij kishte realizuar vetëm tre gola, teksa Haaland rrëfen gjithçka në prononcimin e dhënë për ESPN.
“Trajneri më pyeti pas ndeshjes nëse kisha shënuar trigolësh. Iu përgjigja: ‘Jo, realizova katër herë, kjo prej faktit që ti më zëvendësove‘. Jam akoma i zemëruar me të“, deklaron duke qeshur bomberi viking, version që është konfirmuar edhe nga vetë Favre. /abcnews.al