Ramazan Ndreu, trajneri i Kastriotit, para ndeshjes me Apoloninë ka folur për mediat dhe kërkon vlerësim maksimal për kundërshtarin. “Është një kundërshtar si të gjithë të tjerët, madje do të thosha edhe më i vështirë. Apolonia merr vlerësimin maksimal nga ana jonë.
Fatmirësisht kemi zhvilluar dy takime miqësore me ta dhe i njohim mirë. Kështu që na del për detyrë ta përgatisim ndeshjen me vlerësim maksimal, sidomos nga ana psikologjike”, u shpreh fillimisht Ndreu, i cili më pas kërkoi nga skuadra e tij që të sillet si duhet në fushë.
“Duke qenë një skuadër e vogël, mendoj unë, duhet të jemi punëtorë në fushë, të hyjmë në fushë me dëshirën e madhe për të marrë pikë dhe me mendimin se të gjithë kundërshtarët janë njëlloj. Ne nuk kemi bërë asgjë, jemi vetëm në hapat e parë. Është jashtë logjike që ne ta nënvlerësojmë Apoloninë. Na del për detyrë të marrim tre pikët e radhës dhe për të vazhduar sa më lart”, shtoi tekniku krutan.
I pyetur në fund për gjendjen e skuadrës, Ndreu shtoi: “Gjendja e ekipit është e mirë. Na mungon vetëm Rezi i pezulluar me karton të kuq. Mendojmë ta nisim lojën me po ata lojtarë që luajtëm kundër Laçit. Kuptohet, kur skuadra ec mirë dhe merr rezultate, formacioni nuk ndryshohet”. /abcnews.al

