Sipas mediave serbe, më në fund është moment i një shansi të madh pasi do të jenë pikërisht presidenti amerikan Tramp dhe ai rus Putin që do të zgjidhin përfundimisht çështjen e Kosovës.
Ka shumë mundësi, madje është një shans shumë i mirë që zgjidhja për çështjen e Kosovës të jetë në duart e presidentit amerikan Tramp dhe atij rus Putin.
E përditshmja serbe “Blic”, shkon më tej në këtë tezë duke shtuar se dy liderët pritet të arrijnë një marrëveshje për këtë çështje. Kjo gazetë pretendon, duke cituar burime diplomatike, se ky është plani i lidershipit serb dhe presidentit Aleksandar Vuçiç.
Sipas këtyre burimeve diplomatike që citohen nga e përditshmja serbe,por që mbeten anonime, Europa nuk ka as forcën, as dëshirën por as mundësinë që t’i detyrojë shqiptarët për diçka. Kjo është arsyeja e lindjes së idesë që Putin dhe Tramp të arrijnë një marrëveshje në këtë cështje kaq të rëndësishme për serbët, një marrëveshje që Europa do ta pranojë në fund. Për këtë arsye madje e gjithë vëmendja është përqendruar në takimin mes kreut të shtëpisë së bardhë dhe atij të Kremlinit në Helsinki në 16 korrik.
Burimet diplomatike gjithashtu shtojnë për BLIC se Putin dhe Trump do të kenë kohë për të shkruar disa pikë rreth Kosovës, dhe kaq do të mjaftojë që cdo gjë të shkojë drejt zgjidhjes.
Mediat serbe janë të bindura se Trump dhe Putin do të vendosin për Kosovën deri në fund të vitit dhe se ky është një shans shumë i mirë për të mbërritur tek nëj zgjidhje. Sipas burimeve diplomatike opsionet që ofron Bashkimi Europian nuk janë aspak të mira në rast se njëra palë nuk pranon.
Blic përfundon shkrimin me faktin se ambasadori amerikan në Serbi u shpreh për mediat në vend se çështja e Kosovës mund të zgjidhet deri në fund të këtij viti. /abcnews.al

