Policia: Shoferi i ministrit të Brendshëm është vetëvrarë

schedule14:44 - 30 Qershor, 2018

schedule 14:44 - 30 Qershor, 2018

Nga veprimet hetimore të kryera deri më tani rezulton se shoferi i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është vetëvrarë . Në këtë konkluzion kanë dalë Prokuroria e Tiranës, SHÇBA dhe Policia e Shtetit, të cilët e sqarojnë në një njoftim zyrtar.

Njoftimi i plotë:

Policia e Shtetit është njoftuar nga Garda e Republikës, rreth orës 09:30 të mëngjesit, në garnizonin e Gardës, është gjetur i pajetë gardisti me detyrë funksionale shofer i Ministrit të Brendshëm, shtetasi Sh.Q., 31 vjeç.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Tiranë, me përbërje oficerë të Policisë Gjyqësore ekspertë mjeko-ligjorë, ekspertë të kriminalistikës dhe hetues të SHÇBA-së.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se në mjetin e Gardës u gjet i pajetë, i ulur në sediljen e shoferit, punonjësi Shkëlzen Qordja. Makina ishte e parkuar në garazhin e caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, i cili u gjet i mbyllur nga brenda.

Nga kqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima është vetëvrarë, me armën e shërbimit.

I ndjeri, ka nisur punë në Gardës e Republikës në datën 29.03.2017 dhe nuk ka qenë asnjëherë subjekt procedimi, pezullimi apo mase tjetër disiplinore.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është duke punuar për të qartësuar shkaqet e ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave.//abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!