Klubet e futbollit vazhdojnë të regjistrojnë lojtarë të infektuar me Covid-19. I fundit që është prekur nga pandemia është Liverpool, skuadra kampione e Anglisë.
Ai që ka rezultuar pozitiv është Momo Salah, ylli egjiptian i ofensivës së skuadrës së Jurgen Klopp. 28-vjeçari është grumbulluar me kombëtaren e tij, që pret nesër Togon, takim për Kupën e Afrikës.
Salah, autor i 10 golave në këtë sezon, nuk ka simptoma sipas njoftimit të Federatës Egjiptiane të Futbollit dhe ka nisur menjëherë karantinën. Sulmuesi do të mungojë në dy takimet e radhës të “The Reds”.
Djemtë e Jurgen Klopp presin Leicester (21 nëntor), takim për llogari të Premier League, teksa katër ditë më vonë luajnë sërish në “Anfield”, kësaj radhe kundër Atalantës për Champions League. /abcnews.al

