Nga Enkeleda Bodini
Sa bukur është të dëgjosh për shqiptarë të suksesshëm në botë. Shqiptarë që sot janë profesorë, sipërmarrës, biznesmenë, kuzhinierë apo pastiçerë, si Selami me të cilin abcnews.al do ju njohë sot.
Selam Allaraj është një djalë nga fshati Topojan i Kukësit. Sot ai është një pastiçer shumë i zoti në Venecia dhe ne duhet të krenohemi me të. Por, pas këtij djali që sot prodhon ëmbëlsira, fshihet një histori e trishtë.
Selami është lindur në fshat. Në familjen e tij ishin 8 fëmijë, 5 vëllezër dhe 3 motra. Si pothuajse gjithë familjet shqiptare të asaj kohe, dhe për ta nuk ka qenë aspak e thjeshtë t’i bënin ballë vështirësive të jetës dhe kohës post komuniste. Por, gjithsesi ja dilnin të jetonin, me mund dhe përpjekje.
Në klasë të katërt, Selamin e përjashtuan përgjithmonë nga shkolla, për shkak të disa mungesave të cilat edhe mund të justifikoheshin. Por, t’i heqësh një nxënësi që në fillore dijen, është e pajustifikueshme.
Duke mos qenë më në shkollë, Selami ndihmonte familjen e tij me punë fshati, të cilat nuk kanë të mbaruar ndonjëherë.
Kështu, pa asnjë të ardhme të sigurt, jeta e tij vazhdonte. Për të mos mjaftuar të gjitha këto, në 1995, ai humbi dy vëllerëzit e tij në një aksident në Greqi. Ata shkuan atje për të fituar bukën e gojës, atë që ju mungonte, por erdhën të pajetë.
“Me humbjen e dy vëllezërve ishte e vështirë të mendoje pozitivisht. Shumë lot dhe shumë dhimbje. Ishte një humbje e madhe për familjen tonë”, thotë ai.
Që prej asaj kohe, Selami kishte filluar të mendonte për largimin nga Shqipëria, si një zgjidhje për një të ardhme më të mirë. Ai nuk kishte asgjë, përveç një dëshire të madhe për të gatuar dhe që një ditë të bëhej pastiçer.
Djalit me një ëndërr kaq të madhe, i rrinte e vogël Shqipëria. Sapo bëri 20 vjeç ai u nis drejt Italisë me vizë sezonale, për të mos u kthyer më pas.
“Kur kam shkuar në Itali në vitin 2007. Kam punuar magazinier 4 orë në ditë pa pagesë, për 7 muaj, në Arezzo, vetëm për të bërë dokumentet. Orët e tjera punoja në një vile. Bëja punë ndërtimi, suvatim, bojaxhi dhe mirëmbajtës oborri”, shprehet Selami për abcnews.al.
Ai ka bërë punë të ndryshe deri në vitin 2012, kur më në fund, u fut në kuzhinë, aty ku gjithmonë kishte ëndërruar. Filloi të punonte si pastiçer në një hotel dhe për të arritur aty ku është, ka bërë shumë kurse, ka lexuar shumë libra dhe ka bërë shumë eksperimente me ëmbëlsirat.
Tashmë Selami është shef në një pastiçeri të njohur në Venecia dhe bën ëmbëlsira gourmet të krijuara nga vetë ai.
“Për mua, kuzhina është magji, është art, pasi duke bashkuar shumë ingredient bashkë, del një kryevepër”, tha ai.
Edhe pse tashmë jeta e tij është në Itali, sytë gjithmonë janë nga Shqipëria. Selami tha për abcnews.al se, ka shumë dëshirë të kthehet në atdhe, te toka e tij, te prindërit e tij.
Selami, edhe pse me një jetë shumë të vështirë, arriti të realizonte ëndrrën e tij. Në mesazhin e tij, për të rinjtë dhe për të gjithë ata që e ndjejnë veten të braktisur, tha se, ata nuk duhet të humbin kurrë shpresat, të ëndërrojnë gjithmonë, të mendojnë pozitivisht dhe të jenë të drejtë, sepse faqebardhët dalin në dritë gjithmonë, pavarësisht çdo gjëje.
Ashtu si Selami, që arriti të ndryshonte jetën e tij, ka shumë. Të tillë njerëz gjithmonë ja dalin, sepse zgjedhin të ndjekin ëndrrat, jo të bien pre e fatit jo të mirë./abcnews.al