Reagime pas eleminimit të Gjermanisë, trajneri Lev nuk e përjashton dorëheqjen

schedule20:54 - 27 Qershor, 2018

schedule 20:54 - 27 Qershor, 2018

Kritikat dhe talljet ishin të shumta pasi Gjermania u largua nga Botërori. Trajneri Joakim Lëv nuk e përjashtoi dorëheqjen, por e mbrojti skuadrën e tij.

Një tronditje super, natyrshëm që ka super reagime.

Të tilla ishin pas eleminimit të Gjermanisë nga Botërori.

Fotot me fytyrat e atyre që janë ende kampionë të botës, dhe do të jenë të tillë deri në 15 korrik, ishin shumë domethënëse.

Yje nga më të mëdhenjtë në rruzull përjetuan ditën më të keqe të jetës së tyre sportive.

Nojer, Humels, Kros, Myler e shumë të tjerë.

Trajneri Lëv ishte shumë I qartë pas ndeshjes.

“Është një zhgënjim shumë I madh për ne, – u shpreh ai, – Patëm shumë mundësi për të shënuar ndaj Koresë së Jugut, por nuk arritëm t’i shfrytëzonim. Pavarësisht eleminimit, ekipi im nuk mund të qortohet për asgjë, pasi dha maksimumin. Duhet të përgëzoj Suedinë dhe Meksikën për kualifikimin e arritur dhe t’i uroj sukses. Sa për të ardhmen time, është shumë shpejt për të folur”.

Mediat gjermane reaguan ashpër.

“Bild”: Jogi nuk e përjashtoi dorëheqjen, pavarësisht kontratës deri në 2022! Humels, duhen bërë llogaritë me të gjitha!

“Di Velt”: Turpërimi historik i kombëtares gjermane të futbollit!

“Kiker”: Pas kësaj fiaskoje, gjithçka vihet në diskutim, edhe Lëvi!

Batutat në Tuiter ishin të shumta.

Geri Lineker: Futbolli është një lojë e thjeshtë. Njëzetedy burra vrapojnë pas topit dhe në fund, gjermanët nuk fitojnë më”!

Ish-kapiteni i Gjermanisë, kampion i botës, Lotar Mateus: Një pasdite shumë e keqe!

Gëzim nga një pjesë e tifozëve anglezë: Pamje direkte e tifozëve anglezë në të gjithë vendin, ndërsa gjermanët eleminohen!

Një anglez tjetër: Nuk mund të humb me gjermanët me penallti, kur ata janë eleminuar!

“Foks Sports” në Brazil mjaftohet me një të qeshur të gjatë, kur mësohet lajmi!

Një postim ka një njeri me fytyrë koreane dhe kapele meksikane dhe diçiturë: Koreja lejon Meksinën në Botëror!

Një shaka tjetër: Flamuri i ri i Meksikës, ku në qendër të tij ishte vendosur fytyra e golshënuesit korean, Son! /abcnews.al