Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, ka folur për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke vlerësuar se trendi është pozitiv, edhe pse mbeten ende çështje dhe elemente që duhet të përmbushen.
Yzeiraj u ndal edhe te roli i financave dhe kontrollit mbi zhvillimet ekonomike në procesin e integrimit. Sipas tij, këto elemente janë thelbësore në çdo kapitull, ndërsa Ministria e Financave mbulon pesë kapituj.
Ai përmendi gjithashtu kapitujt 16 dhe 29, duke theksuar tre shtyllat kryesore: linjëzimin e legjislacionit, ndërtimin e sistemeve që komunikojnë me sistemet europiane dhe kriteret e integritetit dhe njohjen e legjislacionit.
Sipas Yzeirajt, një tjetër sfidë është ndërtimi i 25 sistemeve që duhet të komunikojnë me sistemet europiane, ndërsa puna vijon edhe për përmbushjen e kritereve të integritetit dhe përafrimin e legjislacionit.
“ Përmirësimet janë kudo, edhe në një vend si Franca vlerësimi është thuajse i ndarë në mes. Ngelen çështje dhe elemente që duhen punuar, por trendi është pozitiv, nuk duhet të lejojmë që ky moment i ridizenjimit të BE-së të na frikësojë. Pjesën teknike të procesit duhet të synojmë ta kemi të mbyllur, ku sërish mendoj se vlerësimet janë kudo pozitive. Financat dhe kontrolli mbi zhvillimet ekonomike janë thelbësore në çdo kapitull. Ministria e Financave mbulon 5 kapituj, por elemente të politikës makroekonomike janë edhe kapitulli 17, 9 për tregjet financiare, dhe kudo ka detyra të rëndësishme që po punohet t’i përmbyllim.
Kapitujt 16 dhe 29 kanë tre shtylla, piketa mbyllëse për çdo kapitull: linjëzimi i legjislacionit. Do të duhet të ndryshojmë ligjin për akcizat, TVSH-në dhe për administratën. Janë ligje që do të duan kohë.
Shtylla e dytë është ndërtimi i sistemeve. Duhen ndërtuar 25 sisteme që komunikojnë me sistemet europiane.
Shtylla e tretë janë kriteret e integritetit dhe njohja e legjislacionit.” / abcnews.al /


