Ziu: Pas orës 22:00 dyfishojmë efektivët, mes tyre dhe civilë! Zonat me shumë risk, në fokus

schedule14:20 - 11 Nëntor, 2020

schedule 14:20 - 11 Nëntor, 2020

(ABC)-  Dhimitraq Ziu,  nëndrejtori i Policisë së Tiranës ka treguar masat shtesë që do të ndërmarrë policia pas orës 22:00 të ditës së sotme në zbatim të aktit normativ për kufizimin e lëvizjes përgjatë orëve të natës dhe mbylljen e bareve dhe restoranteve në të njëjtin orar. Ai tha se si policia do të dyfishojë kapacitetet e saj pas këtij orari për të vijuar kontrollet në të gjithë kryeqytetin, ndërsa theksoi se në rrugë do të ketë edhe civilë.Ziu liston kategoritë që përjashtohen nga ky kufizim.  (Lexo këtu kufizimet e plota)

“Siç jeni në dijeni policia nuk i ka ndërprerë ndonjëherë kontrollet. Sot është një akt normativ shtesë. Nisur nga ky fakt bazuar në aktin normativ dhe në urdhrin e ministres së Shëndetësisë përcaktohen qartë oraret e lëvizjes dhe detyrat për institucionet kompetente. Policia e Tiranës ka marrë masa që do të aktivizohen në orën 22:00 për të mbajtur në kontroll të gjithë aktivitetin që do zhvillohet në Tiranë. Janë përcaktuar rregullat e lëvizjes. Përjashtohen ata që kanë leje, punonjësit e institucioneve që kanë shërbime emergjence të domosdoshme përfshirë policinë e shtetit, mjekët, infermierët, zjarrfikësit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese. Të tjerët duhet të pajisen me vërtetim në E-Albania”, tha Ziu.

Ziu deklaroi se ndëshkimi do të bëhet në bazë të aktit normativ të muajit mars “Ndërsa institucionet mjafton të kenë me vete dokumentin. Janë gjobat si kanë qenë në aktin e parë normativ por kanë një dallim. Këtë e ka dhe kodi penal. Ne vazhdojmë me gjoba për mosmbajtje maske, lokale pa zhurmë pas orës 20:00. Krah gjobës, do ketë bllokim të mjetit, vepër penale nëse është bërë dhe herë tjetër dhe deri në 6 muaj burg.

Ndërsa për bizneset është nga 2 deri në tre vjet burg në rast përsëritje. Është një akt i miratuar dhe deri në këto ditë nuk kemi pasur raste. Nisur nga situata ju bëj thirrje të jemi korrektë duke zbatuar aktin normativ pasi nuk do lihet asnjë pjesë e tij pa u zbatuar”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër zyrtari i lartë i Policisë së Tiranës theksoi se do të ketë monitorime më të rrepta në zonat me më shumë risk të cilat janë në fokus të uniformave blu.

“Ne do ta kontrollojmë territorin në të gjithë Tiranën. Dhe do të jetë pranë në çdo kohë. Ju e keni parë dhe në vazhdimësi do ketë pika kontrolli. Të gjitha shërbimet nuk vendosen në mënyrë formale por në bazë të një analize se ku ka problematika me grumbullimet e qytetarëve. Ka zona me risk që policia i ka në fokus. Këtu do ndërhyjë policia për zbatimin e aktit normativ.

Policia e Tiranës ka efektivë mjaftueshëm edhe për situatë normale, por në orën 22:00 do ketë masa shtesë. Shërbimet e policisë do të dyfishohen për të zbatuar aktin normativ. Do të ketë edhe civile. Nëse jeni të informuar nuk ka ndryshuar asnjë qëndrim e policisë së Tiranës”, u shpreh ai.

Në fund Ziu shpjegoi se gjobat që janë vendosur përgjatë kësaj kohe për mosmbajtje të maskës janë depozituar pranë OSHEE e cila pritet të bëjë veprimet e saj. Ai theksoi se mediat do të jenë të lira të lëvizin me një mjet identifikues.

“Nuk ka ndryshuar asnjë qëndrim e Policisë së Tiranës. Ka nisu masa administrative me blloqe ku veprimet kryhen përmes nesh dhe OSHEE. Gjobat kanë shkuar te OSHEE dhe pritet ekzekutimi nga ky institucion. Ne mendonim se do kishim një rritje të shkeljeve. Por shumica ka pasur ndërgjegjësim. Kjo është për t’u falenderuar. Media do lejohet të dalë. Patjetër”, përfundoi Ziu./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!