Kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë në një intervistë për gazetën gjermane Die Welt, se Shqipëria kundërshton kategorikisht vendosjen e kampeve të pritjes për azilkërkuesit e BE-së në vendin tonë. Sipas shefit të qeverisë, kjo vlen edhe nëse Shqipërisë i premtohet anëtarësimi në BE në kthim.
“Në mosmarrëveshjen mbi reformën e politikës evropiane të migracionit, Shqipëria kategorikisht refuzon krijimin e qendrave të pritjes së azilkërkuesve të BE-së në territorin e saj”, kështu e nis shkrimin gazeta gjermane Die Welt, që ka marrë dhe një prononcim të kryeministrit shqiptar.
“Ne kurrë nuk do të pranojmë kampe të tilla refugjatësh për BE-në”, shprehet Edi Rama.
Media prestigjoze gjermane nënvizon se ky qëndrim vlen edhe nëse Shqipërisë i ofrohet në këmbim anëtarësimi në BE.
Die Welt thekson se Rama është në thelb kundër “hedhjes së njerëzve të dëshpëruar diku si mbeturina toksike që askush nuk i dëshiron”.
“Shqipëria do të jetë gjithmonë e gatshme të japë një kontribut të drejtë në përballimin e barrës evropiane”, tha Rama i cili shton: “Por kjo nuk do të thotë se do të marrim përsipër problemet për të gjithë. Është një zgjidhje e rrezikshme për ta bërë Shqipërinë portë hyrëse për refugjatët e Evropës”.
Më tej, Rama falenderon kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe gjermanët pasi nëpërmjet pranimit të refugjatëve në vitin 2015, kanë ruajtur reputacionin e Evropës.
Ndërkohë, Die Welt nënvizon se shtetet anëtare të BE-së kanë rënë dakord në parim të fillojnë negociatat e pranimit me Shqipërinë. Më tej shkruan se ka pasur spekulime se ky veprim mund të lidhej me një angazhim nga Shqipëria për të konsideruar ngritjen e kampeve të refugjatëve. Por tashmë drita e gjelbër është dhënë./abcnews.al