Situata nga koronavirusi është kryefjalë ndërsa vijojnë replikat mes shumicës nga njëra anë dhe opozitës me Presidentin nga krahu tjetër. Kryeministri Edi Rama akuzon opozitën se i ka varur shpresat për pushtet te katastrofa shëndetësore, por e paralajmëron se do të dështojë.
”Ilir, që ti Monika Luli Saliu i keni varur shpresat tuaja të lodhura për pushtet tek ëndrra e katastrofës shëndetësore, këtë e kupton çdokush me dy fije mend! Që do dështoni edhe më keq se herë tjetër këtë do ta shihni në 25 prill! Kjo që bëni është një turp që do u mbetet juve!” shkruan Rama.
Reagimi i kryeministrit erdhi pas thirrjes së radhës nga Presidenti Ilir Meta që kërkoi që të rriten testimet dhe të hartohet një plan me privatin për të përballuar situatën, ndërkohë që akuzat pasditen e sotme nuk munguan as nga Partia Demokratike.
Gazment Bardhi e pyeti se përse vetëvriten pacientët me koronavirus, nisur edhe nga rasti i sotëm, ndërsa Edi Rama i kthen përgjigje duke i dhënë shifrat e Italisë për vetëflijimet.
“Në Itali nga marsi në gusht janë vetëvrarë 71 persona me Covid dhe s’ka bërë vaki të merret opozita me këto tragjedi,po ju s’jeni opozitë, ju jeni një çetë e çakërdisur personazhesh qesharake me kostume serioze!Do kaloni dhe ju bashkë me Covidin,me dhimbje po do kaloni me dimrin” thotë ai.
Reshat Grenbi, 69 vjeçari nga Fieri ishte personi i pestë që është hedhur nga lartësia gjatë kohës që kurohej pas infektimit me koronavirus. Ngjarja ndodhi mesditen e sotme. Grendi ishte i shtruar në spitalin Infektiv prej 24 orësh, ndërkohë që tentoi t’i jap fund jetës duke u vetëhedhur nga kati i tretë i këtij spitali. / db/Abcnews.al



