Alarmi nga Covid, Meta: Qeveria plan koordinimi me sistemin privat për kapacitet e duhura

schedule19:00 - 10 Nëntor, 2020

schedule 19:00 - 10 Nëntor, 2020

Presidenti Ilir Meta i kërkon qeverisë që të shtojë testimet dhe të miratojë pa vonesë një plan koordinimi të qartë dhe transparent me sistemin privat, për të bashkuar të gjitha energjitë dhe kapacitet e duhura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Në mungesë të një plani dhe strategjie konkrete për të përballuar përhapjen masive të pandemisë COVID-19, të reflektuar me shtim çdo ditë të numrit të qytetarëve të infektuar, fatkeqësisht edhe të humbjeve në jetë, sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë, me pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve.

Në këto kushte, është tepër e domosdoshme të shtohet masivisht numri i testimeve, si një mjet efikas për gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19.

Për këtë qëllim të miratohet pa vonesë edhe një plan koordinimi i qartë dhe transparent me sistemin privat, për të bashkuar të gjitha energjitë dhe kapacitet e duhura.

Thelbësore gjithashtu është vënia në efiçencë të plotë të mjekut të familjes, shtimi i stafit mjekësor dhe atij mbështetës, si dhe planifikimi i buxhetit të duhur në ndihmë të tyre.

I bëj thirrje Qeverisë të bëjë çdo përpjekje për rimbursimin e plotë të shpenzimeve, veçanërisht të pacientëve që mjekohen në banesë, të familjeve me ndihmë ekonomike dhe të pensionistëve” shkruan Meta.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë konfirmuar 563 raste të reja dhe 8 viktima./ db/Abcnews.al