Barcelona siguroi fitoren e tretë radhazi në Champions League mbrëmjen e kaluar. Katalanasit mposhtën 2-1 në fushën e tyre Dynamo Kyiv dhe kryesojnë grupin G me pikë të plota.
Ecuria pozitive në Evropë gëzon Roland Koeman, por trajneri holandez pritet të mos jetë në stol në takimet e ardhshme të Barcelonës në kampionat.
The Sun raporton se Koeman rrezikon pezullimin me 4 javë për shkak të kritikave ndaj teknologjisë VAR pas El Clasicos të humbur 1-3 me Real Madrid në 24 tetor.
Çfarë tha Koeman pas humbjes me “Los Blancos”? “Për mendimin tim nuk ishte penallti ajo e Sergio Ramos. I kërkova arbitrit të më shpjegonte njëherë e mirë se si funksionin VAR-i këtu në Spanjë.
Nuk arrij ta kuptoj, pse përdoret vetëm kundër nesh teknologjia?”, shpërtheu Koeman në lidhje me akordimin e penalltisë për Realin, që dërgoi rezultatin në 1-2 për miqtë nga Madridi. /abcnews.al