Rritja e numrit të infektuarve me COVID-19 në Kosovë, ka detyruar autoritetet të rikthejnë kontrollet.
Çdo qytetar që hyn nga pika kufitare në Morinë, i matet temperatura.
Mjekja Nexhipe Berisha, thotë se për çdo rast të dyshuar operohet sipas protokollit dhe bashkëpunohet me strukturat mbështetëse të shëndetësisë.
“Këtu matim temperaturat dhe rastet e dyshimta i mbajmë shënim, po ashtu i këshillojmë për të vijuar më tej”, thotë ajo.
Por pavarësisht rritjes, për shqiptarët që udhëtojnë drejt Kosovës nuk kërkohet testi Covid.
“Këtu nuk kemi mundësi t’i kryejmë testimet”, shprehet Berisha.
Ndërkohë në Korçë shifrat e COVID-19 vijojnë të jenë shqetësuese.
Në Komisariatin e Korçës burime zyrtare thonë për “Abc” se janë infektuar 7 punonjës, 5 prej të cilëve janë në komisariat dhe 2 në Drejtorinë e Policisë së qarkut.
Pas konfirmimit pozitiv, të gjithë të prekurit janë karantinuar në banesat e tyre dhe janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Në Elbasan koronavirusi vijon të qëndrojë në institucionet arsimore.
15 nxënës në shkolla të ndryshme të qytetit kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.
Ndërkohë 4 mësues të një shkollë private janë konfirmuar pozitiv me Covid.
Për shkak të kontakteve të afërta, edhe 4 arsimtarë të tjerë janë vetëizoluar./abcnews.al/