Ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj prezantuan paketën e negociuar me kompaninë konçesionare për skemën lehtësuese tarifore të kalimit në rrugen e Kombit. Pagesat për banorët pritet të jetë 100 lekë për kalim, ndërkohë që në funksionim do të jenë dhe tarifat e reduktura me parablerje.
100 lekë do t’u kushtojë banorëve të Kukësit një kalim në segmentin Milot-Morinë me automjetin e tyre.
Ata do të parablejnë me tarifë të reduktuar në mënyrë të përshkallëzuar deri në 44 kalime ne muaj dhe nëse automjetet i kanë të regjistuara në këtë qark do të marrin falas pajisjen elektronike Telepass përmes së cilës do të kryejnë rimbushjen e vlerës së kalimeve mujore sipas nevojës.
Të njëjtën tarifë do të paguajnë për kalim edhe 11 linja autobusësh që kryejnë udhëtime nga dhe për në Kukës.
Skema lehtësuese për mjetet e transportit publik dhe përdoruesit e shpeshtë të rrugës për të cilat qeveria ka rënë dakord me kompaninë koncesionare ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj i prezantuan në një takim me përfaqësues nga qarku i Kukësit.
“Efekti shtesë bruto në Buxhetin e Shtetit për një vit, për pesë vitet që vijnë kap vlerën rreth 1.1 milionë euro, ose afërsisht 140 milionë lekë të reja. Të gjitha zbritjet që patë ju për qytetarët e Kukësit, për linjat, për përdoruesit e shpeshtë, shkojnë në 48.5 milionë euro. Pagesa, dikush mund të thotë është simbolike, dikush mund të thotë për mua është shumë por kjo është situata e Buxhetit, kjo është situata e rrugës dhe Kryeministri ka vendosur që Buxheti i Shtetit do të marrë këtë kosto, rreth 50 milionë euro vetëm për këtë zbritje të konsiderueshme”, sqaroi Ahmetaj.
Ndërkohë është pranuar kërkesa e bizneseve kryesisht atyre të Kosovës, për të spostuar rinisjen e zbatimit të kalimit me tarifë përtej sezonit aktual turistik me 17 shtator 2018.
“Qeveria po merr rriskun më të madh. Ne po marrim rriskun financiar për të zgjidhur një problem social meqenëse Kukësi është zonë e varfër, është deri diku e izoluar, nuk ka rrugë të qënësishme alternative dhe jemi koshient për këtë. Ne mendojmë që kjo punë të fillojë në Shtator. Pra, kjo verë të kalojë duke dëgjuar edhe bizneset, pjesën e Kosovës. Nga 17 Shtatori të fillojë të aplikohet tarifa. Këto favore për biznesin janë njësoj edhe për Kosovën. Pra, nuk kemi ndjekur parim diskriminues”, nënvizoi ministri Gjiknuri.
Ndërkohë në segmentin nga Kukësi në Morinë po vazhdon investimi për ta përfunduar dhe për ta sjellë brenda paramentrave.
“Ne do ta kompletojmë edhe pjesën e mbetur nga Kukësi në Morinë. Kanë filluar investimet aty dhe po rregullohen urat. Shumë shpejt do të mbyllet kontrata edhe për pjesën e mbetur dhe do të vendosim edhe 2-3 mbikalime aty pasi është bërë zonë e rrezikshme për qytetarët. Pra, brenda vitit edhe ajo pjesë e mbetur e autostradës do të kompletohet me parametrat e duhura”, theksoi Gjiknuri.
“Ajo është rrugë sa është e vështirë edhe strategjike. Pse është e vështirë? Këndet gjeologjike gjeografike i ka të vështira, një pjesë e saj ngrin gjatë dimirit, ndërkohë që strategjikisht është mundësia e Aeroportit të Kukësit. Ndërkohë nga ana strategjike, sigurisht që ka lidhje me Qarkun e Kukësit, që është fatkeqësisht një nga qarqet më të varfëra dhe me Kosovën”, tha Ahmetaj.
Paralel me procesin e negocimit me kompaninë koncesionare grupi nderministror ka zhvilluar gjithashtu mbi 10 takime konsultative me komunitetin dhe grupet e interesit për të finalizuar skemën lehtësuese tarifore të kalimit në segmentin Milot-Morinë. /abcnews.al