Partia Demokratike përmes deputetes Jorida Tabaku denoncoi sot mbylljen e gati 6 mijë bizneseve të vogla në pak muaj. Sipas selisë blu kjo ka ardhur për shkak të dyfishimit të barrës fiskale, si rezultat i rritjes së disa taksave.
Nga shtatori 2013 një gjë është e sigurt, taksat rriten çdo vit por rritje pagash dhe pensionesh nuk ka. Akuza vjen nga Partia Demokratike e cila përmes deputetes Jorida Tabaku denoncon barrën e papërballueshme të akumuluar në kurriz të biznesit të vogël.
“Barrës së rëndë të taksave të rritura iu shtua këtë vit TVSH-ja për biznesin e vogël, por edhe taksa e rritur për pronën…një biznes për një hapësirë prej 20 metra katrorë pagesa i është dyfishuar. Në vitin 2015 paguante prej 56 mijë lekë, ndërsa sot, për të njëjtën godinë, paguan 128 mijë lekë”.
Nga viti 2015 në 2017-ën një biznes në qytetin e Tiranës takësn e pronës e kishte në vlerën e 282 mijë lekëve. Sot taksa e fryrë nga qeveria socialiste kap shifrën e 510 mijë lekëve sipas Jorida Tabakut.
“ Mbi 100 mijë biznese vuajnë sot dyfishimin e kësaj takse, ndërkohë që nga viti 2015 pushteti i bashkisë Tiranë ka përdorur të gjitha format për të rritur jo vetëm taksat e tarifat, por edhe çmimin e ujit”.
Rezultati i paralajmëruar tashmë është i qartë, thekson selia blu.
“Në 4 muaj, 5834 biznese kanë ulur qepenat. Për vitin e shkuar ky bilanc ishte me 3 mijë biznese të mbyllura më shumë se sa ato që u hapën”.
2 miliard euro më shumë merr sot qeveria Rama nga xhepat e bizneseve dhe qytetarëve përmes këtyre taksave, duke ia kursyer ato në anën tjetër atyre që sot ndërtojnë kulla betoni në qendra qytetesh apo bregdet, thekson Tabaku. Për këtë përsërit alternativën opozitare.
“Në qendër të platformës tonë është taksa e sheshtë që do t’i japë frymë ekonomisë e do të ndihmojë biznesin e ndershëm të dalë nga asfiksia dhe të rritet pa gjobëvënien e shtetit. Ne qëndrojmë fort për uljen e taksave për çdo qytetar dhe çdo biznes, pasi besojmë se çdo lek më shumë në xhepin e qytetarëve është më i dobishëm sesa në xhepat e qeverisë”.