Vllaznia kaloi turin e parë të Kupës së Shqipërisë sot, duke mundur thellë ekipin e Devollit me shifrat 7-0. Pas ndeshjes për mediet e pranishme foli trajneri i shkodranëve, Thomas Brdaric. Kroato-gjermani është i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij dhe i gëzohet faktit se skuadra e tij shënoi shumë gola.
“Ishte fillim i mirë për ne, zhvilluam një lojë me mjaft volum, por edhe shënuam shumë gola. E kishim marrë shumë seriozisht këtë sfidë dhe si rrjedhojë ishte ndeshje bindëse e për më tepër shënuam shumë gola. Kam luajtur si sulmues në karrierën time dhe më pëlqen që skuadra të shënojë sa më shumë.
Unë kam 20 lojtarë në dispozicion dhe kjo më pëlqen, pasi do të luajë ai që e meriton dhe konkurrenca është e madhe. Kjo sfidë për Kupë, ishte fitore morali me një kualifikim për më tej në Kupë, ndërsa na shërben shumë për ndeshjen hapëse të kampionatit ndaj Apolonisë, ku tashmë kemi përqendruar të gjithë forcat tona”, u shpreh Brariç. /abcnews.al