Dortmund ndan vendin e dytë në Bundesligë me 12 pikë, po aq sa ka edhe Bayerni dhe një më pak se kryesuesit e Leipzig. Verdhezinjtë i nisën ndeshjet e grupeve në Champions League me një humbje në “Olimpico” ndaj Lazios (3-1) dhe sonte do të tentojnë tre pikët e para përballë Zenit.
Lucien Favre i përfundon kontrata në fund të sezonit dhe drejtuesit nuk janë të bindur për t’i dhuruar një kontratë të re. Ekipi vuan në sfidat jashtë fushe dhe me kundërshtarë që mbyllen pas në mbrojtje e përdorin kundërsulmin ndaj Haaland me shokë.
E ardhmja e zviceranit, i cili mban postin e trajnerit të Dortmund prej korrikut të vitit 2018, do të varet nga rezultatet, por drejtuesit e klubit gjerman nuk duan të mbetën të papërgatitur. Bild zbulon tre emrat që pëlqehen për stolin.
Në krye qëndron Julian Nagelsmann i Leipzig, por interesimi në drejtim të 33-vjeçarit është i madh dhe akordi me të është shumë i vështirë. Dy trajnerë të tjerë që pëlqehen shumë për futbollin që praktikojnë, janë Marco Rose (M’Gladbach) dhe amerikani Jesse Marsch (Salzburg). /abcnews.al