Shpresat që popullata të krijojë imunitet kundër COVID-19, janë të pakta pas hulumtimeve që tregojnë se antitrupat zhduken shumë shpejt pas rikuperimit nga sëmundja.
Imuniteti i tufës është propozuar nga disa shkencëtarë të cilët besuan se kjo do të ishte alternativa më e mirë për t’u ballafaquar me pandeminë e koronavirusit.
Sidoqoftë, një studim në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se numri i njerëzve me antitrupa ka rënë me 26 për qind që kur masat e bllokimit u lehtësuan gjatë verës.
Studiuesit nga “Imperial College London” morën në shqyrtim 365 mijë njerëz gjatë tre raundeve të testimit midis muajit qershor dhe shtator.
Rezultatet e studimit “REACT-2” treguan se 6 për qind e njerëzve kishin antitrupa ndaj virusit, rreth kohës kur bllokimi u lehtësua përkatësisht në fund të qershorit dhe në fillim të muajit korrik.
Mirëpo, nga fillimi i valës së dytë gjatë muajit të kaluar, kjo ra në vetëm 4.4 për qind.
Studiuesja Helen Ward, tha se rezultatet e reja sugjerojnë se imuniteti i tufës nuk mund të arrihet. Ata zbuluan se të rinjtë, ata nga komuniteti i njerëzve me ngjyrë, aziatikët, pakicat dhe punonjësit e shëndetësisë kishin nivele më të larta të antitrupave.
Rënia e nivelit të antitrupave sugjeron që njerëzit mund të infektohen në mënyrë të vazhdueshme nga sëmundja.
Ekspertja Wendy Barclay, një specialiste e sëmundjeve infektive dhe një nga studiueset tha se antitrupat arrijnë kulmin tre deri në katër javë pas simptomave dhe më pas shuhen.
“Koronavirusët sezonalë që qarkullojnë çdo dimër dhe shkaktojnë ftohje të zakonshme mund të infektojnë përsëri njerëzit pas gjashtë deri në 12 muaj”, tha Barclay./abcnews.al