Bisedimet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjet ekonomike dhe energjetike po vazhdojnë, pavarësisht ndërprerjes së përkohshme të negociatave për paqen në Ukrainë, deklaroi sot i dërguari special i presidentit rus Vladimir Putin për investimet dhe bashkëpunimin ekonomik, Kirill Dmitriev, sipas Reuters.
Në një prononcim gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Peterburg, Dmitriev tha se kishte zhvilluar bisedime një ditë më parë me negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
“Folëm dje me Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Dialogu vazhdon dhe komunikimi është i vazhdueshëm”, tha ai.
Kremlini njoftoi më 18 maj se procesi i paqes mes Rusisë dhe Ukrainës ishte pezulluar përkohësisht, por Moska pret që negociatat të rifillojnë. Sipas Dmitrievit, kontaktet mes Moskës dhe Uashingtonit vazhdojnë në nivele të ndryshme dhe nuk kufizohen vetëm te konflikti në Ukrainë.
Ai theksoi se të dyja palët do të vazhdojnë diskutimet për energjinë, ekonominë dhe stabilitetin global, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e bisedimeve trepalëshe me Ukrainën në të ardhmen.
“Kur të vijë momenti i duhur, do të ketë mundësi edhe për diskutime trepalëshe, por kjo do të jetë pjesë e procesit diplomatik”, u shpreh ai.
Presidenti amerikan Donald Trump dhe Putin zhvilluan bisedën e tyre të fundit më 29 prill, kur diskutuan një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, pas armëpushimit të shkurtër, luftimet janë intensifikuar. Rusia ka kryer sulme me dronë dhe raketa ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase, ndërsa Ukraina ka goditur rafineri, porte dhe objekte industriale brenda territorit rus.
Procesi i paqes i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, i nisur gjatë bisedimeve ruso-amerikane në Riad vitin e kaluar, ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi pjesë të rajonit të Donbas që vazhdojnë të kontrollohen nga Ukraina dhe që Moska kërkon t’i marrë përpara arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.
Ndërkohë, në maj SHBA-ja zgjati për herë të tretë një përjashtim 30-ditor nga sanksionet, duke lejuar blerjet e naftës ruse të transportuar me rrugë detare për të ndihmuar vendet e prekura nga kriza energjetike e lidhur me luftën në Iran.


