Rrugëtimi i një legjendë, si Khabib nga hiçi u bë luftëtari më i madh në MMA

schedule09:56 - 26 Tetor, 2020

schedule 09:56 - 26 Tetor, 2020

Khabib Nurmagomedov përmirësoi rekordin e tij perfekt, duke rimarrë titullin në peshën e lehtë në artet marciale të përziera, teksa mposhti edhe kundërshtarin e tij të radhës Justin Gaethje. Shumë vetë prisnin një ndeshje të fortë dhe ndoshta më të vështirën në karrierë për 32-vjeçarin rus, për vetë rrethanat në të cilat u zhvillua takimi.

Megjithatë, në “Flash Forum” në Ishullin Yas në Abu Dhabi, Nurmagomedov triumfoi pa shumë probleme, duke ruajtur të pastër bilancin e përgjithshëm, me 100% të ndeshjeve të fituara në këtë sport. Një karrierë e shkëlqyer dhe tepër e gjatë, ku Khabibi ka ditur t’i rezistojë kohës dhe gjithë kundërshtarëve që i kanë dalë përballë.

 

Megjithatë për çdo fillim ka edhe një fund dhe ndoshta kjo është edhe koha më e mirë për të për të mbyllur një histori brilante, që e rreshton luftëtarin nga Dagestani në listën e heronjve të këtij sporti. Gjithçka nisi vite me parë me bekimin e babait të tij të dashur, që e rriti duke krijuar edhe mitin e heroit të pathyeshëm.

32-vjeçari i detyrohet jashtëzakonisht shumë babait të tij të ndjerë, madje Khabibi vetë ka pranuar se Abdulmanap Nurmagomedov i ka mësuar gjithçka në jetë. Karriera e tij e jashtëzakonshme filloi në vitin 2008, pikërisht në peshën e lehtë të arteve të përziera marciale, pra nga 66 – 70 kilogramë, në një duel me Vusal Bayramov në Poltava të Ukrainës.

 

“Shqiponja” bëri emër shpejt dhe mori famë në sambo, duke u kurorëzuar dy herë radhazi si kampion bote në Kiev dhe Moskë, në vitet 2009 e 2010, respektivisht në peshat 74 dhe 82 kilogramë, ndërsa në 16 sfidat e para në MMA Khabibi mundi në Rusi apo Ukrainë çdo kundërshtar që i doli përpara nga ish-Republikat e ndryshme të Bashkimit Sovjetik.

Buzë Detit Kaspik, Dagestani përfaqëson vendin më jugor të Rusisë, gjithsesi aftësitë dhe mënyra e tij e luftimit tërhoqën shpejt vëmendjen dhe Rusia ishte vërtet shumë e vogël për të mbajtur për vete një talent të tillë të këtyre përmasave, që zotëronte çdo lloj teknike të mundshme dyluftimi.

 

Khabibi kaloi Atlantikun dhe me qetësi dhe një pjekuri të jashtëzakonshme mori përpara çdo lloj kundërshtari që i nxorën përballë. Fama, paratë dhe gjithçka e fituar në arenat më prestigjioze në Nevada, Florida apo New York nuk e ndryshuan aspak, përkundrazi me modestinë dhe bindjen e tij të palëkundur në aftësitë e veta ai shtyu biznesmenin amerikan dhe presidentin e UFC Dana White për të ngritur stekën.

Për hir të së vërtetës Khabibi u bë një makinë parash për këtë sport dhe katër sfidat e tij të fundit madje kaluan në “pay per view”, ku natyrisht spikat dueli me irlandezin e famshëm Conor McGregor në Las Vegas, me plot 2.4 milionë shikues me pagesë. I pari test i vërtetë për të u regjistrua në vitin 2014 në Orlando, ku mundi me vendim unanim braziliano – amerikanin Rafael dos Anjos.

 

Një ndeshje pa ndonjë lloj rivaliteti të veçantë, megjithëse për hir të së vërtetës të gjitha sfidat e Khabibit në UFC nuk është se kanë patur shumë histori, pavarësisht emrave të mëdhenj që i dolën përpara në vitet e fundit si: Michael Johnson, Edson Barboza, Al Iaquinta, Conor McGregor, Dustin Poirier apo dhe një kokëkrisur si Justin Gaethje.

I vetmi që e ka shtrënguar për të shkuar deri te raundi i pestë është 33-vjeçari njujorkez Al Iaquinta, në Brooklyn dy vjet e gjysmë më parë. Në listën e tij të gjatë mungon vetëm Tony Ferguson, megjithatë Nurmagomedov ka qenë gjatë gjithë kohës aty, gati duke e pritur.

 

Për më tepër Gaethje e mundi 36-vjeçarin e famshëm kalifornian me origjinë skoceze dhe meksikane, duke e rrëmbyer pikërisht ai vetë brezin në peshën e lehtë, ndonëse përkohësisht. Fitorja e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe merr akoma më shumë vlera, pas fjalëve të presidentit Dana White.

Vetëm tri javë më parë Khabibi ishte i shtruar në spital, me një kockë dhe dy gishta të thyer në këmbë. Rekordi i tij në UFC do të mbetet gjithashtu perfekt 13 – 0, sidoqoftë bën përshtypje thjeshtësia e tij dhe vlerësimi për kundërshtarin, madje 32-vjecari falënderoi Gaethje-n, pasi ishte pikërisht “The Highlight” ai që vite më parë siguroi fluturimin e prindërve të tij, duke mundësuar në këtë mënyrë edhe praninë e tyre për herë të parë në një ndeshje të të birit për titull.

Natyrisht, i përlotur Khabibi ia dedikoi suksesin pikërisht babait, duke shtuar se me këtë fitore nderoi më së miri kujtimin e udhëheqësit të tij shpirtëror, frymëzuesit dhe trajnerit, i cili siç dihet ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare, në fillimin e muajit korrik në një Spital të Moskës, pas komplikacioneve që pësoi prej infektimit me virusin Covid – 19, pasi iu nënshtrua fillimisht një ndërhyrjeje në zemër.

Me zemër të thyer Khabibi pranoi se ndeshja me Gaethje ishte edhe e fundit në karrierë, pasi për të është e pamundur që të vazhdojë të ndeshet pa babanë në krah, madje ai rrëfeu se i janë dashur plot tri ditë për të bindur nënën e tij që të ngjitej në “Oktagon”, për të matur forcat me 31-vjeçarin nga Arizona.

 

 

Premtimi mbetet premtim dhe duhet respektuar, sidomos kur në mes është nëna. Fjala e dhënë ndaj nënës së tij do të mbahet, prandaj në mënyrë të kuptueshme edhe karriera e tij e shkëlqyer do të mbyllet pikërisht me këtë triumf në Fight Island.

Gjithsesi, bëhet fjalë thjesht për karrierën, pasi emri dhe historia e tij nuk do të harrohen kurrë. Tani Khabibi do të kujtohet gjithmonë si një mit dhe pa dyshim që e meriton të konsiderohet si një ndër sportistët legjendarë të UFC, në një rang me më të mëdhenjtë e arteve marciale të përziera si Anderson Silva, Demetrious Johnson, Fedor Emelianenko, Jon Jones apo Georges St. Pierre. / Marrë nga Supersport.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!