Pas dy vitesh larg kafazit, shumë sfidash personale dhe një pezullimi që rrezikoi t’i ndryshonte karrierën, Denis Buzukja është gati për rikthimin më të rëndësishëm të jetës së tij. Luftëtari shqiptar nga New York do të ngjitet më 1 gusht në kafazin e UFC-së në Serbi, në një event historik, me synimin për t’i treguar botës se nuk ka hequr dorë nga ëndrra e tij.
I ftuar në ABC e Mëngjesit, kampioni i arteve marciale të përziera rrëfen se vitet e fundit kanë qenë më të vështirat e jetës.
“Kam pasur probleme personale, karriera ime u ndal dhe pësova humbje. Ishte momenti kur pyeta veten: do të dorëzohem apo do të luftoj përsëri?”
Për Buzukjën, përgjigjja ishte e qartë. Rikthimi nuk është vetëm një ndeshje, por një provë karakteri.
“Frymëzimi nuk është të mos biesh kurrë. Frymëzimi është të ngrihesh kur e gjithë bota mendon se ke mbaruar.”
Më 1 gusht ai do të përballet me një kundërshtar rumun në eventin e parë të UFC-së që zhvillohet në Serbi. Një mbrëmje që pritet të ndiqet nga mijëra tifozë dhe ku, siç pranon edhe vetë, presioni është i madh.
“Do të kem shumë sy mbi mua, por jam i bindur se kjo ndeshje do të shënojë rikthimin tim. Besoj se një ditë do të jem kampion.”
Në rrëfimin e tij nuk mungon as episodi që çoi në pezullimin nga garat. Pas UFC 310, ai u përfshi në një përplasje fizike me një tifoz, incident për të cilin Komisioni Atletik i Nevadës vendosi një pezullim, gjobë dhe shërbim komunitar.
“U përpoqa të qetësoja situatën, por u godita i pari dhe reagova instinktivisht. Ishte një mësim i madh. Sot gjithçka është lënë pas dhe jam i sigurt se nuk do të përsëritet më.”
Edhe humbja në ndeshjen e rikthimit në prill nuk e thyeu. Përkundrazi, thotë se e bëri më të fortë dhe më të uritur për sukses.
“Do të mund të luftoja më mirë, por ajo ndeshje më dha forcën për sfidën e radhës.”
I njohur për bërrylat e tij të fuqishëm, që shpesh kanë mbyllur ndeshje me nokaut, Denis Buzukja synon të shkruajë një kapitull të ri në karrierën e tij dhe të bëhet shqiptari që ngre edhe më lart flamurin kuqezi në arenën më të madhe të MMA-së.
Mesazhi i tij është i thjeshtë: humbjet nuk të përcaktojnë. Ajo që ka rëndësi është guximi për t’u rikthyer dhe për të luftuar edhe një herë.



