“Koken time vetëm PS e nxë”, përfundon restaurimi, Rama batuta në shtëpinë e At Gjergj Fishtës

schedule14:00 - 23 Tetor, 2020

schedule 14:00 - 23 Tetor, 2020

Kryeministri Edi Rama ka vizituar shtëpinë e poetit, atdhetarit dhe rilindasit të madh shqiptar At Gjergj Fishta.

I shoqëruar nga ministrja e Kulturës Elva Margariti, Rama është ndalur sot në fshatin Fishtë të Lezhës ku është mbajtur ceremonia e përfundimit të restaurimit, e mbajtur sot, në ditën e lindjes së Gjergj Fishtës.

Pas shumë problemesh me pronësinë e tokës, por edhe vështirësi të hasura gjatë restaurimit, pasi shtëpia e Fishtës rrezikonte të shembej, tashmë është kryer restaurimi i plotë.

Në fjalën e tij Rama tha:

“Nuk jemi thjeshtë për të nderuar një njeri të madh, por për të forcuar një identitet shpirtëror të kësaj zone që është e ndërthurur edhe me një natyrë të veçantë dhe me një mikpritje të veçantë, e cila ka krijuar një traditë të denjë për një kulturë europiane.

Kam bindjen që me këto elementë, Fishta, dhe e gjithë zona i kanë të gjitha mundësitë të kthehen në një destinacion të hatashëm jo vetëm për shqiptarët por edhe për të huajt.

Nëse jemi të zotë të ngrihemi në lartësinë e këtij potenciali, padiskutim që kjo zonë do të jetë një zonë e begatë. Sot përpara se të vija, rrugës shkrova një tekst të shkurtër për ditëlindjen e Fishtës duke kujtuar se vdekja e Naimit dhe lindja e Fishtës janë të vendosura si të krijuara nga zoti.

Ata janë të ngjashëm në mizsticizëm, në shërbesën e tyre ndaj kombit dhe në vendosjen e shpirtit e të fjalës që një komb ka për tu lartësuar. Janë si dy krenat e shqiponjës për gjuhën tonë, njëri gegë e tjetri toskë, dy përçues të gjuhës që iu referuan dy partiturave të ndryshme.

Këtu do të doja të prekja një fakt, faktin e poshtërimit të Fishtës për shumë kohë nga ata të cilët duke mos mundur t’ja shkatërronin lahutën edhe pse ja kyçën dhe ja bënë shumë të vështirë, për ne, për ta prekur, dhe lexuar, i përdhosën varrin dhe eshtrat”.

Në përfundim të ceremonisë, kryeministrit iu dhuruan maska artizanale nga gratë e Zadrimës ndërsa nuk munguan edhe batutat.

Gruaja: Zoti kryeministër kemi përgatitur disa maska artizanale nga gratë e Zadrimës, një për ju dhe një për zonjën tuaj…

Rama: Mua ma keni zgjedhur ngjyrë gri, zonjës me ngjyra..?! Qenka pak e vogël, kokën time vetëm PS e nxë, jo gjë tjetër.

n.d./abcnews.al