Sulmuesi i Manchester United, Mason Greenwood, po kthehet në një problem tek “Djajtë e Kuq”. Anglezi nuk është grumbulluar në dy ndeshjet e fundit nga tekniku Solskjaer, konkretisht në fitoret 2-1 kundër PSG-së në Champions si dhe në triumfin 4-1 kundër Newcastle.
Ditën e shtunë norvegjezi deklaroi se Greenwood nuk ka udhëtuar me ekipin, pasi nuk është në formën e tij më të mirë fizike. Por fjalët e Solskjaerit u morën më shumë si justifikim nga mediat angleze sepse disa orë më vonë u shfaqën disa foto të lojtarit teksa stërvitej.
Edhe pas ndeshjes së djeshme, trajneri i United vazhdoi lojën e dëmtimit. “Nuk mund të deklaroj gjëra mjekësore apo jo? Shpresoj që ai të jetë gati për ndeshjen e fundjavës dhe ne nuk duam që të rrezikojmë”, ishin fjalët e Oles.
Sipas mediave angleze mungesa e tij nuk vjen si pasojë dëmtimi, por nga sjellja e tij. Mason është dënuar nga klubi sepse ka thyer rregullat e disiplinës dhe ka irrituar stafin teknik me veprimet e tij. Kujtojmë që ai u përjashtua dhe nga kombëtarja e Anglisë së bashku me Phil Foden, pas një skandali seksual në Islandë. /abcnews.al