Në një lidhje të drejtpërdrejtë për “ABC-ja e mëngjesit”, kryedemokrati Lulzim Basha, foli për PPP dhe koncensionet korruptive, ndërsa u shpreh se do ti nënshtrohen Ligjit Antimafia.
“Kush ka shkelur ligjin, do të dalë para drejtësisë”, tha Basha.
Basha tha se është përgatitur paketa antimafia që synon sipas tij goditjen e korrupsionit, ndërsa theksoi: “Do të gjurmohen se ku janë çuar paratë, do të sekuestrohen dhe do t’i rikthehen qytetarëve”.
Pjesë nga intervista:
“Kemi përgatitur një paketë antimafia që synon goditjen e korrupsionit. Objekt verifikimi do të jenë të gjitha kontratat e PPP-ve, aktet për lejet e shfrytëzimit të pasurive publike. Ligji do të ketë fuqi prapavepruese. Risia nuk është thjesht që do të ndiqen penalisht.
Pavarësisht se janë në Maltë, Dubai, Singapor apo Hong Kong, kudo që të jenë këto agjenci do të bëjnë të mundur që paratë që i janë grabitur shqiptarëve do të gjurmohen dhe do të rikuperohen. Do të gjurmohen se ku janë çuar paratë, do të sekuestrohen dhe do t’i rikthehen qytetarëve. Ne jemi në komunikim edhe me partnerë strategjik që bëjnë të mundur që paratë e grabitura të rikuperohen”, tha Basha.
Sakaq ai shtoi: Erion Veliaj e kam çuar në Prokurori për shpifje. Të ardhurat e mia dhe pasuria ime është transparente që prej vitit 2005. E gjitha është një fushatë që ka për qëllim baltosjen time. Është një shpifje dhe pres që Prokuroria të hetojë. Të ardhurat e mia kanë qenë transparente, të gjitha aty i kanë dhe kujtohen për të hedhur shpifje sa herë që nuk i japin dot përgjigje pyetje se ku kanë çuar paratë e vjedhura.
/abcnews.al/