Në Pyllin e Divjakës janë vendosur tabela orientimi për të ecur në brendësi të tij. Shumë nga ato emërtimet janë të lidhura me histori të treguara kohë pa kohë dhe që vendasit i dinë.
Dikur Sopi i Gorricave në këtë pyll njihej vetëm nga vendasit. Të tjerët në rastin më të mirë mbeteshin të habitur, kurse në rastin më të keq humbnin rrugën. Sot nëse duhet të futesh në brendësi të pyllit të Divjakës, ke pika orientimi. Shumë tabela gjenden në anë të rrugës kryesore të Parkut Kombëtar. Autoktonët thonë se emrat e shtigjeve u referohen pemëve që rriten në pyll: Sopi i Gorricave, Struga e Frashërit apo Udha e Dëllinjës.
“Ne kështu e kemi njohur, Sopi i Vorrit, Struga e Frashërit. Struga ne u themi këtyre vijave që lidhen me gjolin”.
Por ka dhe emërtime që nuk u dihet historia. Sopi i Vorrit, i cili është shtegu i parë në hyrje të parkut dhe më i frekuentuari për lëvizje.
Përsa i përket Sopit të Bukur, ky banor 70-vjeçar i Divjakës e mban mend si pikë orientimi që kur ishte fëmijë. Të rinjtë e shikojnë për herë të parë këtë sinjalistikë në pyll. Disa prej tyre i kanë dëgjuar të përdoren në fjalorin e përditshëm të familjarëve. Për ta, e rëndësishme është fakti që ky vend të bëhet i frekuentuar nga shumë turistë.
“Janë vende turistike shumë të mira që vizitohen nga turistë brenda vendit edhe jashtë”.
Janë rreth 10 tabela me emërtime të shkruara në gjuhën e zonës që shërbejnë si pika orientimi për të levizur nepër shtigjet e pyllit në Divjakë. Nëpër këto rrugë, kalimit të turistëve u ofrohet edhe informacione më të hollësishme./abcnews.al