Presidenti Ilir Meta ka shprehur shqetësimin për sipërfaqet e mbjella me lëndë narkotike në vend.
Kreu i shtetit, në një postim në rrjetet sociale shkruan se shpërthimi i kanabisit në vit zgjedhor është traditë e njohur tashmë, që sipas tij përdoret si mjet përfitimi nga grupet kriminale.
Meta thekson se bosët e vërtetë kurrë nuk preken, por për të prodhuar statistika fiktive, siç thotë ai arrestohen gra dhe burra të moshuar si grup i strukturuar kriminal.
“Shpërthimi i kanabisit në vit zgjedhor është traditë e njohur tashmë për t’u përdorur si mjet përfitimi për grupet kriminale që marrin përsipër kontrollin elektoral të qarqeve të caktuara por edhe si mjet shantazhi ndaj shumë hallexhinjve që në mungesë të mbështetjes shtetërore për aktivitetet bujqësore, blegtorale, të agrobiznesit dhe agroturizmit janë të detyruar të bëhen punëtorë të këtyre grupeve kriminale.
Bosët e vërtetë kurrë nuk preken por shpesh për të prodhuar statistika fiktive, arrestohen gra dhe burra të moshuar si grup i strukturuar kriminal”, shkruan Meta. g.v/abcnews.al