Kuvendi i Kosovës nesër në orën 10:00 do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme, ku do të hidhet në votim edhe një herë projektligji për rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e pandemisë së Covid-19. Pas dështimeve të mëparshme për ta kaluar, pasi shumica qeverisëse nuk kishte numrat, nesër duket se situata do të jetë ndryshe, të paktën bazuar te premtimi i kreut të grupit të LDK-së.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha të enjten se i ka siguruar 61 votat për nesër për të miratuar projektligjin. “Në emër të 61 deputetëve nënshkrues kam kërkuar seancë të jashtëzakonshme për ditën e hënë në ora 10:00, për ta votuar në lexim të parë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike”, shkroi Gashi.
Projektligji është hedhur për votim edhe pesë herë të tjera, por shumica nuk ka pasur votat e mjaftueshme për ta miratuar. I miratuar nga qeveria e Kosovës me 22 korrik, projektligji parashikon një mbështetje për bizneset prej 385 milionë eurosh./ db/Abcnews.al