Kuvendi i Kosovës dështoi sot që të votonte projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e pandemisë së Covid-19.
Por mbrëmjen e sotme shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, përmes një postimi në Facebook njoftoi se të hënën ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për ta votuar projektligjin. Ai siguroi se tashmë ka numrin e nevojshëm të deputetëve për të miratuar projektligjin.
“Në emër të 61 deputetëve nënshkrues, sot kam kërkuar seancë të jashtëzakonshme për ditën e hënë në ora 10:00, për ta votuar në lexim të parë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike”, ka shkruar Gashi.
Projektligji është hedhur për votim edhe pesë herë të tjera, por shumica nuk ka pasur votat e mjaftueshme për ta miratuar. I miratuar nga qeveria e Kosovës me 22 korrik, projektligji parashikon një mbështetje për bizneset prej 385 milionë eurosh./ db/Abcnews.al