Në selinë e PD ka shqetësim se kreu Lulzim Basha dhe familja e tij po survejohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të paligjshme nga policia. Basha zhvilloi sot një takim me drejtues të strukturave të partisë dhe grupit parlamentar, ndërsa Edmond Spaho në një deklarate pas takimit akuzoi drejtpërdrejtë ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Demokratët nuk i bind deklarata e Policisë së Shtetit se kryetari i tyre, Lulzim Basha dhe familja e tij nuk janë survejuar nga struktura të policisë. Madje nga selia blu tregojnë edhe se çfarë fshihet përtej kësaj ndjekje klandestine siç e emërton kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho.
Edmond Spaho: “Operacioni klandestin është konceptuar dhe zbatuar nga Fatmir Xhafaj, ish-hetuesi i dhunshëm i komunizmit, me urdhër të Edi Ramës. Ndjekja dhe përgjimi i kryetarit të opozitës bëhet për interesa kriminale”.
Sipa Spahos operacioni i përgjimit ndaj Lulzim Bashës dëshmon se qeveria funksion si një pushtet privat kriminal në mbrojtje të trafikut të drogës dhe krimit të organizuar, ku janë përfshirë drejtuesit më të lartë të qeverisë. Prokuroja e përgjithshme e përkohshme është mburoja e tyre deklaroi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Edmond Spaho: “Këto operacione klandestine kriminale kanë garancinë e mbrojtjes nga prokuria politike e drejtuar nga Arta Marku, përfaqësuesja dhe shërbëtorja politike e dyshes Rama-Xhafaj. Këto veprime kriminale kanë garancinë e mosndëshkimit si rezultat i shkatërrimit të Gjykatës Kushtetuese, paralizimit të plotë të Gjykatës së Lartë dhe kontrollit të plotë mbi sistemin e drejtësisë nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj”.
Për Partinë Demokratike reforma në drejtësi duhet të kthehet në binarët kushtetues me qëllim çlirimin e drejtësisë nga kapja që i ka bërë sipas saj Edi Rama dhe përmes tij, krimi i organizuar./abcnews.al