Mëngjesin e kësaj të hëne në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” ishte i ftuar gjuhëtari Mehmet Elezi, i cili ngriti shqetësimin për përdorimin e fjalëve me shtjellime që lidhen me regjimin komunist. Teksa mori shembull përdorimin e disa fjalëve në fjalor, studiuesi tha se institucioni përkatës “duhet të dixhitalizojë një fjalor ku ka shkencë dhe jo politikë.”
“Kanë kaluar 30 vite dhe nuk po gjykojmë si ishte atëherë, por pas kaq shumë vitesh nuk ka mundësi Akademia të dixhitalizojë një fjalor ku ka shkencë dhe jo politikë.”, u shpreh Elezi. “Jemi përballë një fakti të tillë që kërcet, Akademia nuk mund të ndërhynte për ta zëvendësuar dhe për të futur një fjalor normal.”, shtoi më tej.
Më tej, studiuesi bëri thirrje që institucioni përkatës të marrë në konsideratë përditësimin e nevojshëm të fjalorit si dhe për të bërë të mundur elimiminin e këtyre fjalëve “komuniste”.
“Në këtë rast duhet të ndryshohet krejtësisht sepse kemi të bëjmë me një fjalor të politizuar mizorisht, ndërsa po të jetë puna vetëm për përditësim shkencor, shtetet e huaja për shembull Akademia franceze çdo vit përditëson fjalorin dhe për një fjalë vendos Akademia nëse duhet futur apo hequr. Në nuk kemi asnjë lloj përditësimi ndërsa fjalori i fundit në versionin e shtypur është i 2016-ës.“, shtoi studiuesi. xh.d/abcnews.al

