Ndërsa jemi futur zyrtarisht në vjeshtë dhe kemi dimrin përpara, eksperti shëndetit Publik Erion Dasho paralajmëron se mund të kemi një mbivendosje të virozave të stinës me koronavirusin.
Komentet e tij, Dasho i bëri në një lidhje me “Skype” me emisionin e mëngjesit në Abc News.
“Autoritetet shëndetësore nga më prestigjozet tërhoqën menjëherë tërhoqën vëmendjen: Po vjen stina e virozave. Rrezikojmë të kemi një mbivendosje, të virozave të stinës dhe Covid-19. Tashmë jemi në atë që duhet transmetimi komunitar. Kemi të paktën 1000 raste të reja në ditë.”
Sipas mjekut Dasho, tashmë koronavirusi mund të përhapet më shpejt ndërsa shtoi se mbivendosja mund të bëhet me mbi 200 patogenët që shkaktojnë virozat e stinës.
Po ashtu, Erion Dasho kritikoi sistemin aktual duke thënë se nuk kemi protokolla të qarta veprimi në fuqi për mjekët e familjes.
“…për shkak të paaftësisë, ne ende nuk kemi protokolle të qarta veprimi. Sapo na shfaqen shenjat e para, prej panikut, personat mbitrajtohen. Ky behet problem shume i madh kur të kemi edhe gripin. Ne rrezikojmë që në këtë lloj mentaliteti, të krijuar, secili prej nesh të marrë 2-3 cikle antibiotikesh të panevojshe, deri në fund të stinës së virozave. Por janë edhe antikoagulantët, që në persona të caktuar rrezikojnë jetën nga kjo, hemorragji të brendshme. ..Duhet gjetur zgjidhja sa më parë.”
Një nga masat kryesore që duhet marrë sipas ekspertit të shëndetit publik është rritja e numrit të testimeve.
“Këtë e thonë të gjitha autoritetet shëndetsore, veç këtyre tanëve. E kemi trajtuar këtë problem ne mënyrë paradoksale, gjithçka nis tek testimi. Testimi është baza. Duhen të paktën 2500 teste në ditë, që t’u afrohemi rekomandimeve të organizatave botërore. I dyti është gjurmimi, raportimi digjital i simptomave, e treta trajtim ne kushtet e mjekësisë se familjes me protokolle të qarta.” s.b/abcnews.al/