Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka nisur sot seancën e shqyrtimit të ankimit të Komisionerit Publik kundër ndërprerjes së procesit të Vettingut për ish-kryeprokurorin, Adriatik Llalla.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm nuk është i pranishëm në seancë dhe do të përfaqësohet nga avokati i tij Sokol Hazizaj.
Siç ishte lënë porosi në seancën e kaluar në 16 Maj, avokati Hazizaj paraqiti para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit një prokurë të posaçme firmosur nga klienti i tij,
Pasi vlerësoi prokurën, trupi gjykues gjykoi që avokati ka tagrin të përfaqësojë subjektin e vlerësimit Adriatik Llalla.
Komisioneri Publik ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që vendosi ndërprerjen e vettingut për ish-Kryeprokurorin, pasi ky i fundit hoqi dorë nga e drejta për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë.
Komisioneri Publik kërkon që ish-prokurori i pergjithshem Llalla t’i nënshtrohet vettingut./abcnews.al

