Zhvillimet nga SHBA në lidhje me shëndetin e Presidentit Donald Trump janë të vrullshme. Së fundmi, shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows u shpreh se Presidenti Donald Trump ishte “shumë mirë” dhe se mjekët ishin të kënaqur me parametrat e tij jetike.
“Presidenti është shumë mirë. Ai lëviz dhe kërkon dokumente për të kontrolluar. Mjekët janë shumë të kënaqur me parametrat e tij jetësore. Unë u takova me të disa herë sot për çështje të ndryshme” i tha Meadows, “Reuters”.
Konfuzioni mbizotëroi më herët kur një burim nga Shtëpia e Bardhë u tha gazetarëve se Presidenti Trump nuk ishte ende duke u rikuperuar nga Covid-19 dhe disa nga parametrat e tij jetike gjatë 24 orëve të fundit ishin shumë shqetësuese. I njëjti burim tha se 48 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për ecurinë e shëndetit të Trump.
Këto vlerësime kundërshtojnë deklaratat e mjekut të Shtëpisë së Bardhë Sean Conley, i cili deklaroi se Trump nuk ka marrë oksigjen, ka qenë pa ethe për 24 orë dhe “është shumë mirë”. Pavarësisht pyetjeve nga gazetarët, Dr. Conley nuk konfirmoi që Donald Trump nuk kishte marrë oksigjen në asnjë kohë gjatë shtrimit në spital dhe këmbënguli se ai nuk po merrte oksigjen aktualisht.
Megjithatë, New York Times shkruan se Donald Trump mori oksigjen në Shtëpinë e Bardhë të premten para se të dërgohej në spital. Pas lajmit për përkeqësimin e shëndetit të tij, Presidenti i SHBA-së Donald Trump bëri një postim “sigurues” nga spitali “Walter Reed” ku ai po trajtohet pas infektimit me Covid-19. Trump së pari falënderon mjekët dhe stafin për kujdesin që ata ofrojnë dhe theksoi se ai ndihet mirë./ db/Abcnews.al


