Fenomeni i grabitjeve të bizneseve ka shënuar rritje këtë vit në Tiranë. Policia ka publikuar edhe hartën e zonave ku bizneset janë më të rrezikuara nga vjedhjet.
Në Tiranë grabitet çdo ditë më shumë se një dyqan. Ky trend i vjedhjeve të bizneseve ka shënuar rritje nga viti në vit.
Shifrat e publikuara nga Policia e Shtetit tregojnë se nga Janari deri në fillim të muajit Maj, janë grabitur rreth 200 biznese në kryeqytet, nga 150 që janë regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ajo që ka shqetësuar më shumë uniformat blu është se, në vitet e kaluara fenomeni i grabitjeve ka qenë më aktiv në periferi të kryeqytetit, por në të dhënat e vitit 2018, vërehet rritje e këtij krimi në zonën brenda unazës së Tiranës.
Vjedhjet me thyerje mbeten një nga shqetësimet më serioze për qytetarët, por edhe për policinë. Policia e kryeqytetit ka bërë një hartë me zonat dhe rrugët më problematike, ku prona e qytetarëve është në rrezik.
Zbulimi i autorëve të grabitjes së bizneseve nga fillimi i 2018-s ka zënë rreth 40 për qind të të gjithë ngjarjeve. Megjithate kjo shifër është ulur krahasuar me vitin e kaluar.
Ndryshe nga bizneset, grabitja e banesave në kryeqytet duket se ka rënë këtë vit, të paktën, sipas shifrave që jep Policia e Tiranës. Nga Janari 2018 deri në fillim të Majit, në kryeqytet kanë ndodhur rreth 100 grabitje banesash, ndërsa për rreth 40 prej tyre janë zbuluar autorët.
Ekspertët e policisë, të cilët merren me parandalimin e grabitjeve, theksojnë se ka dy kategori hajdutësh, të cilët kanë ndikuar më shumë në përkeqësimin e situatës.
E para ka të bëjë me “vjedhjen me thyerje”, që zakonisht ndodhin në zonat urbane, nga persona të rritur dhe me eksperiencë. Ndërsa në kategorinë e dytë janë “vjedhjet pa thyerje”, që zakonisht ndodhin në periferi të kryeqytetit dhe në këtë rast implikohen të mitur./abcnews.al