Llogaritë e arta të Le Pen dhe Salvini: 13.500 euro për një darkë

schedule22:38 - 30 Maj, 2018

schedule 22:38 - 30 Maj, 2018

Shpenzimet e larta për darka të liderit të Lega Nord dhe Frontit Nacional në llogari të Parlamentit Europian kanë shqetësuar Unionin. Në bazë të një raporti, për një darkë krishtlindjesh Salvini dhe Le Pen kanë shpenzuar 13 mijë e 500 euro.

Duke shpalosur llogaritë e grupimit “Europa e Kombeve dhe e Lirive”, ku bëjnë pjesë drejtuesi i Lega Nord Matteo Salvini, holandezi Geert Wilders dhe Marine Le Pen, gazeta franceze “Canard Enchainé” ka zbuluar se populistët e Parlamentit Europian e trajtojnë veten shumë mirë: për Krishtlindje kanë organizuar një darkë me 60 shishe shampanjë dhe verë që kapin vlerën e majme të 13 mijë e 500 eurove.

Shifrat janë zbuluar përmes kontrollit të shpenzimeve të 2016 –s të prezantuar nga grupi i ekstremit të djathtë të përbërë nga 36 deputetë. Në nxitjen e dyshimeve të kontrollit të europarlamentit kanë qenë disa dalje në Paris mes Le Pen dhe Salvinit. Dy aleatët kanë vendosur në llogari të grupit parlamentar disa mbrëmje të kaluara në lokalet shumë eskluzive të kryeqytetit francez. Për një darkë në restorantin Ledoyen afër Champs-Elysees, e cila në dokumentacion prezantohet si takim mes industrialëve, llogaria është 401 euro për kokë.

Akoma më e kripur është fatura e darkës kokë më kokë mes liderit të Lega Nord dhe asaj të Frontit Nacional. Salvini dhe Le Pen kanë zgjedhur të shpenzojnë nga 449 euro për person. Në total shpenzimet e kontestuara nga eurogrupi kapin vlerën e 427 mijë eurove. Zyra e presidencës së Strasburgut ka kërkuar sqarime të mëtejshme, përpara se të pretendojë për rimbursimin e shumës./abcnews.al