Banorëve të Madridit në Spanjë do t’ju ndalohet të largohen nga qyteti pa arsye madhore, kurse vizitorëve do t’u ndalohet të futen në qytet nëse nuk është shumë e nevojshme.
Kjo pritet të ndodhë me masat e reja mbrojtëse kundër koronavirusit të paralajmëruara nga qeveria spanjolle.
Masat e reja parashikohet që të aplikohen edhe në pesë qytete tjera të Spanjës.
Ministri spanjoll i Shëndetësisë, Salvador Ila, deklaroi se këto rregulla do të hyjnë në fuqi këto ditë, duke mos e thënë konkretisht se kur.
Me masat e reja, qytetarëve do t’ju lejohet të shkojnë nga njëri qytet spanjoll në tjetrin, vetëm për arsye pune, studimi apo për kontrolle mjekësore.
Rajoni i Madridit aktualisht po konsiderohet si vatër e infeksioneve të reja, kurse në këtë qytet janë regjistruar një e treta e 133.604 rasteve që janë konfirmuar në dy javët e kaluara.
Në Madrid janë të regjistruar 735 raste aktive në 100 mijë banorë, që është shumë më shumë se çdo tjetër rajon i Evropës. /abcnews.al/