Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Sipas Bashës qëndrimi i kryeministrit për dhunën e policisë ndaj gazetarit Bledi Kasmi si çështje e brendshme që nuk meriton vëmendjen e medias ndërkombëtare është i dënueshëm dhe i rrezikshëm. “Me këtë qëndrim, Edi Rama vetë-demaskohet si kryepushtetari që nxit dhe mbron dhunën ndaj njerëzve të medias” shkruan kryetari i Partisë Demokratike në rrjetin social facebook. Basha thotë se “Edi Rama është sot pengesa kryesore e përparimit dhe integrimit europian të Shqipërisë”. Ndërkohë shprehet se është e papranueshme që jo vetëm për gazetarët dhe median e lirë shqiptare, jo vetëm për të drejtat e njeriut në Shqipëri, por edhe për aspiratën europiane që vendi të ketë një kryeministër që sipas kryetarit të PD nuk ka lidhje me standardet minimale perëndimore, por që ngjan si dy pika uji me autokratët injorantë dhe të dhunshëm të Lindjes.
Postimi i plotë i Bashës në facebook
“Qëndrimi i Edi Ramës për dhunën e policisë ndaj gazetarit Bledi Kasmi si çështje e brendshme që nuk meriton vëmendjen e medias ndërkombëtare është i dënueshëm dhe i rrezikshëm. Me këtë qëndrim, Edi Rama vetë-demaskohet si kryepushtetari që nxit dhe mbron dhunën ndaj njerëzve të medias. Paprekshmëria e jetës dhe lirisë së individit dhe liria e shprehjes janë vlera universale dhe themeli i sistemit demokratik perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Është e papranueshme jo vetëm për gazetarët dhe median e lirë shqiptare, jo vetëm për të drejtat e njeriut në Shqipëri, por edhe për aspiratën europiane të Shqipërisë të kemi një kryeministër të tillë që nuk ka lidhje me standartet minimale perëndimore por që ngjan si dy pika uji me autokratët injorantë dhe të dhunshëm të Lindjes. Edi Rama është sot pengesa kryesore e përparimit dhe integrimit europian të Shqipërisë”. /abcnews.al


