Këshilli i Lartë Gjyqësor do të zhvillojë nesër seancën për shkarkimin e gjyqtarit të Korçës Markelian Kuqo.
Kërkesa e depozituar në KLGJ, është bërë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, pasi gjyqtari Markelian Kuqo ka liruar në mënyrë të dyshimtë nga burgu Gert Gjinararin, i njohur si një prej të “fortëve të Tiranës”, ndryshe “Gjenerali”.
Gert Gjinarari u dënua me “burgim të përjetshëm” për vrasjen e të fortit të Tiranës, Naim Zyberi, në Itali në vitin 1999, dhe u lirua nga qelia në 14 shkurt 2019.
Pas këtij vendimi për lirimin e “Gjeneralit”, Ministria e Drejtësisë kërkoi hetimin e rastit.
Me sa duket ekspertët e ligjit në ILD, kanë konkluduar se Kuqo ka qenë kontradiktor në zbatimin dhe referimin e ligjit për “Lirimin me kusht”.
Burime për abcnews.al kanë njoftuar se nga hetimi i këtij rasti ndaj gjyqtarit të Korçës, ka rezultuar se veprimet e Kuqos janë kryer në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me dashje direkte nga ana e tij.
Të gjitha konkluzionet e arritura për gjyqtarin Kuqo, do të shqyrtohen ditën e nesërme në Këshillin e lartë Gjyqësor, për të cilin ILD ka kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtarit.
N.D./abcnews.al