Por zyrtarë lokale dhe qytetarë përmes rrjeteve sociale kanë reaguar ashpër ndaj Presidentit Mattarella, që nuk mundësoi krijimin e koalicionit qeverisës të përbërë nga Lega Nord dhe Lëvizja me 5 yje.
Policia e postës në Itali ka nisur monitorimin e rrjeteve sociale me objektivin për të sinjalizuar të gjitha sjelljet dhe deklaratat kundër Presidentit Sergio Mattarella. Pas refuzimit të kreut të shtetit për të emëruar Savonën ministër Ekonomie, duke e bërë të pamundur në këtë mënyrë krijimin e një koalicioni qeverisës mes Legës dhe Lëvizjes 5 Yjet, përfaqësues të kësaj të fundit kanë shprehur kërcënime dhe dëshira për vdekjen e Presidentit. Madje ka dhe nga ata që sugjerojnë se dikush duhet të bëjë që Mattarella të ketë të njëjtin fat si vëllai i tij.
Por ka pasur raste kur kryebashkiakë legistë kanë hequr fotografinë e Presidentit nga zyra e tyre, me justifikimin se po respektonin vullnetin e zgjedhësve, demokracinë dhe rezultatin e votimeve të katër Marsit. Madje në një deklaratë të përbashkët për shtyp ata shprehen se i përgjigjen gjithnjë popullit që i zgjodhi, por nuk e dinë se kujt i jep llogari Mattarella./abcnews.al